Ministrja Shekerinska paraqiti buxhetin e Mbrojtjes – fondet e ARM-së rriten, shpenzimet joproduktive zvogëlohen

Ministrja e mbrojtjes Radmilla Shekerinska sot në konferencë shtypi paraqiti pikat e buxhetit të ri më të madh të mbrojtjes për vitin 2018.

Buxheti i mbrojtjes për vitin e ardhshëm peshon 6.4 miliardë denarë që paraqet një rritje prej 15%. Gjithashtu është sjellë vendim politik mbi ritmin e afrimit të Maqedonisë drejt qëllimit të deklaruar nga vendet anëtare të NATO-s për të alokuar 2% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen.

Në konferencën për shtyp ministrja Shekerinska theksoi se me këtë projekt buxhet për vitin 2018, pas 8 vjetësh shteti i kushton vëmendje të veçantë Ministrisë dhe mbi të gjitha Armatës së Republikës së Maqedonisë. Ministrja tha se të gjithë në shtet ishin të vetëdijshëm dhe ranë dakord se ARM duhet të marrë vendin që vërtetë i përket, në përputhje me funksionin e saj kushtetues dhe në përputhje me pritjet.

„Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe unë si ministër jemi zotuar për të siguruar fonde për rritjen e pagave për të gjithë ata që janë në shërbim të Armatës së Republikës së Maqedonisë në vlerë prej 10%. Përmes propozimit të dërguar në Kuvend tregojmë se qëndrojmë pas fjalës dhe vendimit për rritjen e pagave për të gjithë përbërjen e ARM-së dhe kjo është rezultat i vlerësimit tonë politik se është e papranueshme që Republika e Maqedonisë të ketë pagat më të ulëta në Armatë nga i gjithë rajoni. Konsideruam se kjo nuk është çështje luksi, nuk është çështje privilegj, por një çështje nderi dhe obligimi i qeverisë për t’i dëshmuar Armatës se qeveria ndodhet këtu edhe kur ka nevojë për ndihmë”, tha ministrja dhe shtoi se 254.6 milionë denarët shtesë do të jenë të mjaftueshme për të paguar plotësisht këtë detyrim.

„Në ushtri, duhet patjetër të rrisim motivimin, duhet të parandalojmë largimet serioze të ushtarëve profesionistë, por edhe nënoficerë dhe oficerë,” tha Shekerinska dhe bëri me dije se ky veprim i rritjes së pagave tregon se puna e të gjithë pjesëtarëve të Armatës vlerësohet, verpim ky që do të ndikojë në funksionalitetin e ushtrisë dhe gatishmërisë për anëtarësim në NATO.

Ministrja njoftoi se në fondet e parapara për paga gjithashtu është siguruar një sasi e caktuar që do të ripërtërijë dhe plotësojë numrin e ARM-së dhe njoftoi se në vitin 2018 është planifikuar të pranohen 375 ushtarë të rinj profesional dhe rreth 50 oficerë, të cilët do të përmirësojnë përqindjen numrit të ushtrisë.

Lidhur me pikat tjera të buxhetit për vitin 2018, ministrja u ndal në rritjet kyçe të buxhetit, si paratë për të mbështetur procesin e pranimit të Maqedonisë në NATO dhe para për riparimin dhe servisimin e pajisjeve, si dhe përmirësimin e kushteve të punës në objektet ushtarake.

Ekziston gjithashtu një rritje në blerjen e çizmeve, uniformave, pjesëve rezervë dhe pajisjeve, si dhe në përmirësimin e gatishmërisë luftarake të Ushtrisë përmes blerjes së pajisjeve të reja.

Ministrja tha se në vitin 2018 do të reduktohen kostot joproduktive – shpenzimet për përfaqësim, shpenzimet për udhëtimet zyrtare dhe shkollim jashtë vendit, dhe do të bëhet një plan për reduktimin e shpenzimeve komunale me kursimin e ujit, energjisë elektrike dhe karburantit.

„Buxheti për vitin 2018 paralajmëron një ndryshim radikal të qëndrimit në drejtim të mbrojtjes që tregon se qeveria vazhdimisht do të investojë në standardet, kushtet dhe pajisjet e ushtrisë dhe kjo do të vazhdojë deri në përmbushjen e pritjeve të NATO-s për ndarjen e 2% të prodhimit të brendshëm bruto. Rritja e buxhetit është një tjetër mënyrë për të treguar se ne jemi shumë serioz në përmbushjen e qëllimit tonë strategjik – anëtarësimin në NATO. Ky objektiv është i lidhur me qëllimin tonë për të përshpejtuar rritjen ekonomike, për të siguruar më shumë vende pune dhe më të mira duke ofruar një argument politik për të gjithë investitorët vendas dhe të huaj se Maqedonia është një vend i sigurt, ku ia vlen të investohet”, përfundoi ministrja Shekerinska në konferencën për shtyp.

Ministrja gjithashtu iu përgjigj pyetjeve lidhur me statusin e ushtarëve profesionistë pas përmbushjes së kufirit në moshë, pritjet nga takimet e ndërmjetësit Nimitz me negociatorët për mosmarrëveshjen e emrit, dorëheqjet e anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, plotësimin e postit të lirë të ministrit të shëndetësisë dhe lidhur me spekulimet rreth rikonstruimit të Qeverisë, si dhe nëse ka presion nga NATO për të siguruar transportues të blinduar.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail