Ministrja Shekerinska në Ditën për Vizitorët të Shquar në stërvitjen “Sabre Guardian 17″ Rumani – takon ministrin rumun të Mbrojtjes, Cucujanu

Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska sot në Çinku, Rumani merr pjesë në stërvitjen shumëkombëshe ushtarake “Saber Guardian 17″, të udhëhequr nga komanda e forcave tokësore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë.

„Ndodhemi këtu në Ditën për Vizitorët të Shquar në stërvitjen “Saber Guardian”, në të cilën marrin pjesë 22 vende anëtare të NATO-s dhe vende partnere. Ky është një shans për të treguar se ARM dhe Maqedonia meritojnë të konsiderohen si një partner i NATO-s dhe se Maqedonia meriton që NATO të vazhdojë politikën e saj të dyerve të hapura”, tha ministrja.

Ajo shtoi se Maqedonia mbetet e përkushtuar në përmirësimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe më gjërë, si dhe në përmirësimin e kushteve, pajisjeve dhe objekteve të Armatës. “Ne do të bëjmë gjithçka që vendi jonë të bëhet anëtare e NATO-s”, përfundoi ministri Shekerinska.

„Saber Guardian 17” është stërvitja më e madhe në rajonin e Detit të Zi që realizohet në tre vende – Rumani, Hungari dhe Bullgari, dhe pjesë e saj janë 25.000 pjesëtarë të forcave të armatosura të 22 vendeve nga vendet anëtare të NATO-s dhe vendeve partnere. Në stërvitjet në Rumani marrin pjesë 57 pjesëtarë të ARM-së në kuadër të forcave tokësore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë, dhe 40 anëtarë të Batalionit të Policisë Ushtarake, si pjesë e Batalionit të 709 të Policisë Ushtarake të ushtrisë amerikane, 8 anëtarë të Batalionit Inxhinierik në përbërje të skuadronit inxhinierik të dytë të ushtrisë amerikane dhe 9 anëtarë të Task Forcave Mjekësore Ballkanike si pjesë e Brigadës Mjekësore të 30-të të ushtrisë amerikane. Batalioni i Policisë Ushtarake do të kryejë detyra për të siguruar kalimin e konvojit mbi një lum, ndërsa Batalioni Inxhinierik do të marrë pjesë në ndërtimin e kalimit. Pjesëtarët e Task Forcave Mjekësore Ballkanike janë pjesë e mbështetjes mjekësore me ngritjen dhe funksionimin e spitalit të lehtë për terren të nivelit ROLL-2.

Pjesëmarrja e pjesëtarëve të ARM-së në stërvitjen “Saber Guardian 17″, që synon ushtrimin e forcave të armatosura për të mbështetur stabilitetin dhe sigurinë e rajonit të Detit të Zi dhe pjesëmarrjen e tyre në përbërjet e njësive të ushtrisë amerikane konfirmon bashkëpunimin strategjik midis ushtrive të Maqedonisë dhe SHBA-së dhe njohjen e nivelit të lartë të profesionalizmit ushtarak të ARM-së. Bashkëpunimi i vazhdueshëm me ushtritë e vendeve anëtarë të NATO-s dhe vendeve partnere dhe pjesëmarrja në stërvitjet ushtarake si “Sabre Guardian 17″ është një demonstrim i përgatitjes së ushtrisë për të marrë pjesë së bashku me forcat aleate në operacionet e përbashkëta për të forcuar sigurinë në rajon dhe për të rritur ndërveprimin për pjesëmarrje në operacionet ekzistuese dhe të ardhshme të NATO-s.

Në stërvitje u demonstrua gatishmëria për të përdorur një mbrojtje kolektive kredibile e cila përfshin stërvitje të mbështetura nga kompjuteri, trajnime në fushë dhe ushtrime me qitje.

Ministrja Shekerinska gjithashtu zhvilloi takim bilateral me ministrin e mbrojtjes të Rumanisë, Adrian Cucujanu, takim i parë në mes të ministrave të mbrojtjes të të dy vendeve, pas dhjetë vjetësh.

Dy ministrat diskutuan për avansimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe forcimin e kapaciteteve të ushtrisë në përputhje me standardet e NATO-s. Ministrja Shekerinska theksoi se mbështetja e Rumanisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO është veçanërisht e rëndësishme sepse anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të kontribuojë në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

Ministri Cucujanu ka përsëritur mbështetjen e hapur dhe të pakushtëzuar të Rumanisë që Maqedoninë sa më shpejt të jetë e mundur të marrë ftesën për anëtarësim. Ai përshëndeti pjesëmarrjen e pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare dhe tha se çmon rolin e Maqedonisë si një faktor stabiliteti në rajon.

Dy ministrat biseduan edhe lidhur me aktivitete konkrete për të zbatuar Planin Dypalësh për Bashkëpunim, si dhe për të zgjeruar përvojën pozitive të bashkëpunimit në trajnimin e pjesëtarëve të ARM-në Rumani, por edhe për të përdorur kapacitetet e ARM-së, si poligonin “Krivollak” dhe Qendra Rajonale për Marrëdhënie me Publikun për trajnimin e personelit të ushtrisë së Rumanisë.

Në delegacionin e kryesuar nga ministrja Shekerinska morrën pjesë edhe gjeneral brigade Mirçe Gjorgoski dhe komandanti i Batalionit të Policisë Ushtarake, lejtnant Vasko Kokolanski.

Për Maqedoninë është veçanërisht e rëndësishme që pas stërvitjes “Saber Guardian 17″, rreth 300 pjesëtarë të ushtrisë amerikane në Evropë me mbi 100 automjete inxhinierike dhe pajisje nga Rumania do të arrijnë në Maqedoni në Poligonin Ushtarak “Krivollak” nga 28 korriku deri 8 gusht ku do të kryhet stërvitja “Dragoon Guardian 17”.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail