Dita e dytë e Konferencës së Mynihut: Takime Shekerinska me Gottemoeller dhe Karakaçanov, mbështetje rrugës drejt NATO-s

Nënkryetarja e Qeverisë dhe ministre e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, në ditën e dytë të Konferencës së Sigurisë së Mynihut ka mbajtur disa takime me figura të njohura nga fusha e mbrojtjes dhe politikës. Në drekën e organizuar nga ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen, Shekerinska së bashku me kolegët nga rajoni, ministrat e mbrojtjes të Sllovenisë Andreja Katiq, Kroacisë Damir Krstiçeviq dhe Malit të Zi, Predrag Boshkoviq, theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO për stabilitetin dhe progresin e të gjithë rajonit.

Shekerinska gjithashtu u takua me Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Rose Gottemoeller për të diskutuar situatën aktuale në vendin tonë përpara samitit të NATO-s në korrik. Gottemoeller theksoi mbështetjen e Republikës së Maqedonisë në procesin e anëtarësimit në NATO dhe përshëndeti rritjen prej 20% të forcave të ARM-së në misionin “Mbështetje e Vendosur”. Gottemoeller shprehu kënaqësi me angazhimin e Qeverisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes për reformat dhe përshëndeti hapat e Maqedonisë në fushën e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Ministrja e Mbrojtjes u takua gjithashtu me ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Bullgarisë, Krasimir Karakaçanov. Në takim, ministrja Shekerinska dhe homologu i saj bullgar theksuan rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajon në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërshtetërore dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e proceseve të reformave të zbatuara nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë. Karakaçanov përshëndeti përpjekjet e vendit tonë dhe theksoi mbështetjen e Republikës së Bullgarisë për të përshpejtuar rrugën e Maqedonisë drejt integrimit euroatlantik.

Nesër ministrja Shekerinska, në pjesën përfundimtare të Konferencës, do të takohet me ministrin e Mbrojtjes të Lituanisë Raimundas Karoblis dhe Wolfgang Ischinger, nikoqir dhe kryesues i Konferencës së 54-të të Sigurisë së Mynihut.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail