Shekerinska në tryezën e rrumbullakët të Këshillit Atlantik në Uashington: Ne kërkojmë mbështetje për anëtarësim në NATO, gjë që do të krijojë shpresë të re për Ballkanin

Zëvendës kryeministrja dhe ministrja e mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, filloi vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes pjesëmarrjes në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Këshilli Atlantik Amerikan në temën “Ballkani dhe anëtarësimi në NATO nga prizmi i Maqedonisë: Rreziqet e larta lidhur me sigurinë globale dhe fati i demokracisë në një vend të vogël.”

Në tryezën e rrumbullakët, ministrja Shekerinska foli për Ballkanin dhe sfidat me të cilat është ballafaquar në të kaluarën, krizën politike në Maqedoni dhe proceset e reja të reformave, si dhe kthimin e vendit në rrugën e integrimit euroatlantik.

„Gjatë 10 muajve të fundit, ne jemi fokusuar seriozisht në reformat e brendshme dhe në përmirësimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Jemi përqendruar në çështjet që ishin në thelbin e integrimit euroatlantik – mediat e lira, sundimi i ligjit, marrëdhëniet ndëretnike dhe institucione stabile”, tha ministrja.

Duke rikujtuar ngjarjet që ndodhën në Kuvend sot një vit, Shekerinska tha se vitin e kaluar më 27 prill Maqedonia u gjunjëzua. „Ngjarja mundej të dalë nga kontrolli krejtësisht dhe kanosej të shpiej shtetin afër luftës qytetare. Ne patëm formuar shumicë në parlament dhe të gjithë prisnin të zgjiidhet qeveria e re, e orientuar drejt reformave, kur njerëzit që donin të qëndronin në rrugën e vjetër panë se dhuna ishte mënyra e tyre e vetme për të qëndruar. Për fat të mirë, përpjekja ishte e pasuksesshme,” tha ajo.

Si shembull i realitetit të ri dhe ndryshimeve demokratike, ministrja përmendi koloritin mediatik dhe përmirësimet e dukshme në këtë fushë. “Ne jemi ylli i ri i raportit më të fundit të “Freedom House”, ku thuhet,” Maqedonia ka shanset më të mëdha për kthesë demokratike në Evropë”. Për herë të parë që nga viti 2010, ne shohim përmirësim në secilin prej kritereve. Mediat janë të lira të zgjedhin kë ato do të kritikojnë, përfshirë qeverinë, kjo është ajo se si duhet të duket demokracia,” tha ministri.

Shekerinska tha se Qeveria investon shumë në marrëdhëniet me vendet fqinje, duke përmendur marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë e cila është nënshkruar për më pak se dy muaj pas zgjedhjes së Qeverisë. “Kjo marrëveshje ka hapur mundësi të mëdha për të dyja palët. Si Maqedonia, ashtu edhe Bullgaria janë paraqitur si vende të pjekura dhe të interesuara për të ardhmen dhe vende që sillen në mënyrë evropiane”, tha ministrja. Ajo shtoi se kjo ka rezultuar vetëbesimin që qeveria të përfshihet në zgjidhjen e problemit kyç në marrëdhëniet me Greqinë – emrin, me një vendosmëri të qartë të përpiqet rë gjejë zgjidhje për këtë çështje shumëvjeçare.

Ministrja gjithashtu iu referua proceseve të reformës në mbrojtje dhe Armatë. “Kjo qeveri ka treguar se është e vendosur të ndryshojë prirjet – këtë vit kemi rritur buxhetin tonë të mbrojtjes me 15 për qind, kemi rritur pagat për të gjithë personelin ushtarak me 10 për qind, kemi vendosur nga viti 2019 të rrisim buxhetin çdo vit me 0.2 pikë përqindjeje dhe kemi rritur pjesëmarrjen tonë në Afganistan me 20 për qind,” tha ministrja.

„Ju kërkojmë që të mbështesni Maqedoninë për të marrë një ftesë për anëtarësim në NATO këtë vit, sepse një depërtim i tillë mund të ketë ndikim pozitiv, i cili do të krijojë një shpresë të re në Ballkan “, konkludoi Shekerinska.

Këshilli Atlantik është një nga organizatat më me ndikim në SHBA dhe një forum i rëndësishëm për diskutime në lidhje me ndryshimet ekonomike dhe politike që përcaktojnë shekullin e 21-të, që ka një ndikim në politikëbërësit dhe vendimmarrësit në SHBA. Tryeza e rrumbullakët u organizua nga Iniciativa e Sigurisë Transatlantike si pjesë e Këshillit Atlantik dhe u moderua nga presidenti i saj Magnus Nordenman.

Shekerinska u takua me kongresmenët David Price, demokrat nga Karolina e Veriut dhe Peter Roscam republikan nga shteti federal i Illinoisit, si dhe me Elizabeth Obegi, këshilltare për Punë të Jashtme e senatorit të shtetit federal të Arizonës, John McCain. Ministrja sqaroi reformat e qeverisë, duke përfshirë përparimin në reformat e mbrojtjes, rekomandimin për të hapur negociatat me BE-në dhe proceset demokratike në Maqedoni, si dhe përparim në marrëdhëniet ndëretnike në vend. Përfaqësuesit e Kongresit amerikan riafirmuan mbështetjen për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE dhe i theksuan stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e demokracisë në Maqedoni si shumë të rëndësishme për rajonin.

Sot, ministrja Shekerinska do të ketë takime të veçanta me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së, Laura Cooper, si dhe me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail