Ministrja Shekerinska në takime në Departamentin e Shtetit: Maqedonia është e gatshme jo vetëm që të jetë anëtare e NATO-s, por të jetë një anëtare që kontribuon në Aleancë

Ministrja Radmilla Shekerinska në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u takua me Zëvendës Ndihmëssekretarin e Mbrojtjes së SHBA Laura Cooper dhe zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit.

Në takimin me zëvendës ndihmës sekretarin e Parë – në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, Elizabeth Millard, ministrja Shekerinska sqaroi argumentet se pse Maqedonia meriton anëtarësim në NATO – rritja e buxhetit dhe pagave të Armatës, reformat në mbrojtje, rritja e numrit të ushtarëve në Afganistan, por edhe në plan më të gjerë – kthimi i mediave kritike dhe të lira, sundimit të ligjit, transparenca aktive për të cilat u angazhua qeveria si një nga mjetet kundër korupsionit.

Përfaqësuesja e Lartë e Departamentit të Shtetit, Millard, shprehu mirënjohje për progresin e arritur nga vendi vetëm një vit pas krizës në Kuvend dhe theksoi se SHBA është një mik i fortë i Maqedonisë, i cili vëzhgon nga afër dhe mbështet progresin e vendit.

Në Departamentin e Shtetit, ministrja Shekerinska gjithashtu u takua me Zëvendësin e Ndihmës Sekretarit Matthew Palmer, i cili vuri në dukje se gjërat në Maqedoni po zhvillohen shumë shpejt dhe vendi është gati jo vetëm për të qenë anëtare e NATO-s, por një anëtare që kontribuon aktivisht në Aleancën.

Në takimin me Zëvendës Ndihmëssekretarin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara, Laura Cooper, ministrja Shekerinska tha se Ministria e Mbrojtjes dhe Armata e Republikës së Maqedonisë janë duke punuar shumë për të zbatuar reformat e nevojshme, duke u fokusuar në Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes, i cili është një dokument kyç për zhvillimin e ARM.

Reformat në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ARM-në dhe rezultatet tona në zhvillimin e mbrojtjes tregojnë se Republika e Maqedonisë meriton të jetë pjesë e Aleancës së NATO-s – tha Shekerinska në takim.

Cooper tha se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë shumë progresin e reformave në Maqedoni dhe angazhimin ndaj qëllimit strategjik – anëtarësimin në NATO dhe se ata do të monitorojnë nga afër situatën në muajt e ardhshëm, përpara Samitit të Aleancës.

Ministrja në Uashington u takua gjithashtu me drejtorin e Institutit Republikan Ndërkombëtar, Daniel Twining dhe Drejtorin Rajonal të IRI për Evropën, Jan Surotchak.

Qëllimi i takimeve të ministres Shekerinka në SHBA është të sigurojë mbështetje të fortë amerikane në prag të Samitit të NATO-s.

Vizita e ministres Shekerinska do të vazhdojë në Vermont për t’u takuar me guvernatorin e shtetit federal dhe komandantin e Gardës Kombëtare të Vermontit, me të cilin ARM-ja ka bashkëpunim të ngushtë.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail