Mbështetje direkte nga Sllovenia për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO

Republika e Sllovenisë është e gatshme të mbështesë drejtpërsëdrejti Republikën e Maqedonisë në procesin e reformave të mbrojtjes dhe në hartimin e dokumenteve kryesore për zhvillimin e mbrojtjes dhe forcave të armatosura, siç është Shqyrtimi Strategjik i Mbrojtjes, u ra dakord në takimin e sotëm mes ministrave të mbrojtjes të Maqedonisë dhe Sllovenisë, Radmila Shekerinska dhe Andreja Katiq në Lubjanë.

„Në përpjekje serioze siç është integrimi në NATO, nuk ka vend për improvizim. Mali i Zi e provoi këtë, kur kërkoi mbështetje nga Republika e Sllovenisë dhe mori anëtarësimin e plotë. Ishte një lëvizje e mençur. Më lejoni të theksoj kënaqësinë që ministrja Katiq shprehu gatishmërinë e Sllovenisë që të përdorë atë njohuri dhe përvojë të dhënë Malit të Zi për të ndihmuar Republikën e Maqedonisë të arrijë qëllimin strategjik të shumëpritur. Jam e bindur se me një mbështetje të tillë, shanset e vendit tonë për t’u bërë një vend anëtar i NATO-s po rriten”, tha ministri Shekerinska pas takimit me ministren Katiq.

Ministrja sllovene tha se Sllovenia do t’i japë Maqedonisë të njëjtën mbështetje që i dha Malit të Zi në procesin e bashkimit me NATO. Ajo shtoi se Sllovenia do të ndihmojë Maqedoninë në përgatitjen e të gjitha dokumenteve për reforma, veçanërisht në Shqyrtimin Strategjik të Mbrojtjes. “Ballkani Perëndimor për Slloveninë është një prioritet dhe në atë dritë duhet të shohim mbështetjen që japim për pranim në NATO dhe BE. Prandaj, na gëzon fakti që Maqedonia në këtë kohë të shkurtër arriti të përmirësojë marrëdhëniet me fqinjët e saj”, tha Katiq. Ministrja ka mbështetur bashkëpunimin në nivel rajonal, veçanërisht në kontekstin e Task Forcave Mjekësore Ballkanike dhe shtoi se do të mbështesë Maqedoninë në kandidimin e saj si një vend (komb kornizë) udhëheqës në këtë organizatë, pas skadimit të mandatit të Serbisë.

Ministrja Shekerinska tha se kriza e emigrantëve dhe problemet me terrorizmin tregojnë se sa jemi të varur nga njëri tjetri. “Interesat e sigurisë të Sllovenisë po mbrohen në Maqedoni, gjithashtu interesat e sigurisë së Evropës po mbrohen edhe në Ballkan. Prandaj, interesi i Maqedonisë për t’u bërë anëtare e NATO-s është gjithashtu interesi i të gjithë rajonit, të Evropës. Është një interes për sigurinë e përbashkët, “tha ministrja.

Ajo shtoi se Maqedonia është jashtëzakonisht e përkushtuar për të justifikuar besimin e partnerëve, duke përfshirë Slloveninë, duke përmbushur reformat e planifikuara në planin “3-6-9″. Shekerinska theksoi rëndësinë e mbështetjes sllovene në hartimin e Shqyrtimit Strategjik të Mbrojtjes si një dokument kyç që e shtyn trajektoren për reforma në fushën e mbrojtjes.

Ministrja Shekerinska, si shembull të bashkëpunimit të shkëlqyer mbrojtës, përmendi trajnimin e tanishëm të përbashkët të ARM-së dhe Forcave të Armatosura të Sllovenisë – trajnimin e anëtarëve të ARM-së në Slloveni, që është në proces dhe stërvitjen e planifikuar, “Sfida 17″, që do të realizohet në Krivollak në tetor, së bashku me 30 pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Sllovenisë.

Bashkëpunimi maqedonaso-slloven në mbrojtje përfshin trajnimin dhe edukimin e pjesëtarëve të ARM-së në shkollat e larta ushtarake në Slloveni. Dy vendet janë pjesë edhe e një numri të iniciativave rajonale si Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEDM), Task Forcat Mjekësore Ballkanike, Forumi i Bashkëpunimit në Siguri dhe të tjera.

Në kuadër të qëndrimit të saj në Slloveni, ministrja Shekerinska gjithashtu do të marrë pjesë sot në Forumin Strategjik të Bledit, i cili paraqet një konferencë udhëheqëse në Evropën Qendrore dhe Juglindore për të diskutuar ndryshimet dhe sfidat në botë, pozitën e Bashkimit Evropian, Ballkanin Perëndimor, të drejtat e njeriut në kohën e ndryshimeve dhe diplomacisë digjitale. Në Forum marrin pjesë shumë drejtues shtetesh dhe qeverish, ministra dhe diplomatë.

Shekerinska gjithashtu do të ketë disa takime dypalëshe, duke përfshirë Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor dhe eurodeputeten Tanja Fajon. Sonte, ministrja sllovene Katiq organizon një darkë pune me ministren Shekerinska dhe nënpresidenten e Komisionit Evropian, Federica Mogherini.

Gjatë ditës së nesërme, ministrja Shekerinska do të takohet me Presidentin dhe anëtarët e Komitetit të Mbrojtjes në parlamentin e shtetit slloven dhe do të vizitojë gjithashtu kazermat, ku pjesëtarët e Armatës së Republikës së Maqedonisë janë duke vijuar trajnimin teorik dhe praktik në mbrojtjen kundër-ajrore me Sistemin e raketave portative të lehtë “Igla”.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail