Aleanca e NATO-s gati për të mirëpritur Maqedoninë të jetë vendi i 30-të anëtar – Shekerinska dhe Stoltenberg vizitojnë Regjimentin e Operacioneve Speciale në kazermat “Ilinden”

„E vlerësoj partneritetin me vendin tuaj. Brenda pak javësh do të keni një referendum për të vendosur nëse do të bashkoheni me bashkësinë ndërkombëtare dhe NATO-n. Mbetet për qytetarët që të vendosin, jemi gati të ju mirëpresim si anëtar i 30-të i Aleancës”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili së bashku me ministren e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska vizituan forcat speciale të ushtrisë në kazermat “Ilinden”.

Para ministres Shekerinska dhe Sekretarit të Përgjithshëm Stoltenberg, pjesëtarët e Regjimentit të Operacioneve Speciale zhvilluan dy ushtrime demonstrative dhe shfaqën pjesë të arteve marciale.

Ministrja Shekerinska kujtoi se më shumë se 4.000 pjesëtarë të ushtrisë kanë marrë pjesë në misione të ndryshme të udhëhequra nga NATO në vitet e kaluara.

„Secili pjesëtar i Armatës së Republikës së Maqedonisë, i cili në periudhën e kaluar ka marrë pjesë në misione të ndryshme të udhëhequra nga NATO, ka qenë një argument plus në favor të anëtarësimit tonë në NATO. Më lejoni edhe njëherë t’ju shpreh mirënjohje të gjithë atyre pjesëtarëve të Armatës që ishin vazhdimisht të heshtur, por diplomat shumë të dukshëm dhe të njohur që lobuan për Maqedoninë për t’u bërë anëtare e NATO-s. Armata e Republikës së Maqedonisë dhe Ministria e Mbrojtjes e shohin anëtarësimin e Maqedonisë në NATO si prioritet kyç. Më 30 shtator, qytetarët e Republikës së Maqedonisë jam e bindur se do të na mbështesin të bëhmei vendi anëtar i 30-të i NATO-s,” tha Shekerinska.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg tha se trupat e ARM-së janë të trajnuar mirë dhe janë gati të jenë pjesë e operacioneve të vështira dhe përpjekjeve të stabilizimit në shumë vende në botë. Ai falënderoi për pjesëmarrjen e tyre në misionet e NATO-s dhe tha se anëtarësimi i Maqedonisë në Aleancë do të ishte një përparësi për NATO-n.

„Të gjithë 29 aleatët, në samitin në korrik, vendosën të ju ftojnë të bëheni anëtare e plotë dhe të filloni bisedimet e pranimit. Ne jemi të angazhuar, por ju duhet ta zbatoni Marrëveshjen për t’u bërë anëtare e plotë dhe për të përfunduar bisedimet e pranimit. Kur i shoh ushtarët pas meje, është edhe më e qartë për mua se do të jetë një avantazh për ne dhe për NATO-n që t’ju kemi si një anëtar të plotë”, tha Stoltenberg.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail