Zhvillim i interoperabilitetit dhe avancim i besimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit – filloi stërvitja „Dragoon Guardian 17“

300 pjesëtarë të „2. Cavalry Regiment“ të Armatës së SHBA-së për Evropë me 6 karvane dhe rreth 120 automjete sot në kalimin kufitar Deve Bair, u futën në Republikën e Maqedonisë, si pjesë e stërvitjes së përbashkët ushtarake të Armatës së Republikës së Maqedonisë dhe forcave të armatosura të SHBA, „Dragoon Guardian 17“ e cila mbahet prej sot deri më 10 gusht në poligonin ushtarak „Krivollak.”

Pjesëtarët e forcave të armatosura të SHBA-së realizojnë stërvitjen bashkë me 95 pjesëtarë të Batalionit Inxhinierik të Brigadës së Parë Këmbësorike të Mekanizuar të ARM-së dhe nga çeta e AABK.

Në ceremoninë në Kumanovë, ku u prezantuan edhe një pjesë e automjeteve të ARM-së dhe forcave të armtosura të SHBA-së të cilat janë pjesë e stërvitjes, ministrja e mbrojtjes Radmilla Shekerinska theksoi se përmes kësaj stërvitje do të përforcohet bashkëpunimi bilateral me SHBA-në, ndërsa do të ndikohet edhe në zhvillimin e mirëkuptimit dhe mirëbesimit të ndërsjellë. Ministrja tha se stërvitja ka disa qëllime, si përmirësimin e interoperabilitetit, shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e procedurave standarde operative.

„Duke shikuar programin ambicioz, i cili është fryt i punës së përbashkët të pjesëtarëve të ARM-së dhe forcave të armatosura të SHBA-së, jam e bindur se kjo stërvitje e madhe do të jetë një mundësi e shkëlqyer për përforcimin e gatishmërisë së njësive tona dhe do të afrojë ARM-në drejt kritereve të larta të partnerëve tanë, SHBA“, tha ministrja para të pranishmive.

Shekerinska shprehu kënaqësi që SHBA, si një vend i cili investon shumë në zhvillimin dhe përgatitjen e forcave të saja të armatosura ka zgjedhur poligonin ushtarak „Krivollak” për të realizuar këtë stërvitje.

Ministrja në fjalën e saj u ndal edhe në numrin e shtuar të aktiviteteve vendore të cilat janë pjesë e kësaj stërvitje, ku qytetarët e Maqedonisë do të jenë në gjendje të njihen nga afër me pajisjet e ushtrisë amerikane, e cila përdoret në njësitë inxhinerike. “Ushtria është po aq e fortë, sa që është e fortë lidhja dhe mbështetje e saj nga qytetarët. Gjatë stërvitjes qytetarët e disa qytete të vendit do të kenë mundësi të mësojnë lidhur me detyrat e ushtarëve, mënyrën e tyre të jetesës, angazhimet e punës dhe nga jeta e tyre e përditshme”, tha ministrja dhe informoi se ky lloj i ngjarjeve, përveç në Kumanovë do të mbahet dhe në Shkup, Veles, Shtip, Strugë dhe Strumicë.

„Stërvitjet e përbashkëta shpiejnë Maqedoninë më afër NATO-s. Përmes trajnimeve dhe ushtrimeve dypalëshe, dhe nëpërmjet ngjarjeve dhe operacioneve të mbështetura nga NATO, ne jemi duke ndihmuar Maqedoninë të përgatitet për anëtarësim të plotë në NATO”, tha ambasadori i SHBA-së në Maqedoni, Jess Bailey. Ai shtoi se SHBA punon për të parë Maqedoninë të bëhet pjesë e NATO-s, e atë përmes mbështetjes së reformave për forcimin e demokracisë dhe përmes stërivtjeve të këtilla si „Dragoon Guardian“.

Gjeneral brigade Zoran Mileski, komandant i Komandës së Bashkuar Operative të ARM-së, tha se kjo stërvitje është produkt i një procesi të planifikimit njëvjeçar dhe një kurorë e bashkëpunimit intensiv mes kapaciteteve inxhinierike të dy ushtrive, e cila u parapri nga aktivitetet e ndërmarra në poligonet në Gjermani, Hungari, Rumani dhe Bullgari që nga fillimi i vitit.

„ Kumanova është një qytet veteran. Qytet ky që në të kaluarën luftoi kundër fashizmit për të fituar lirinë. Ajo është diçka që edhe sot na inkurajon të vazhdojmë me përpjekjet për ruajtjen e paqes, për ruajtjen e një shoqërie të drejtë dhe bashkëkohore”, tha kryetari i komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski në fjalën e tij si nikoqir i ngjarjes së parë nga bashkëpunimi ustarako-qytetar.

Në kuadër të stërvitjes “Dragoon Guardian 17″ pjsëtarët e ushtrive të të dy vendeve do të kenë një seri të trajnimeve të përbashkëta për të siguruar lëvizshmërinë dhe trajtimin e pajisjeve plasëse të improvizuara, duke siguruar mbështetje mjekësore dhe do të kenë mundësi të marrin pjesë në ndërtimin e një piste të përkohshme për fluturake pa pilot.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail