Shekerinska – Apaturaj: NATO e mbështet fuqimisht Maqedoninë në procesin e bashkimit me Aleancën

Sot, ministrja e Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska zhvilloi një takim pune me Zëvendës Ndihmëssekretarin e Përgjithshëm për Çështjet Politike dhe Politikën e Sigurisë, James Appathurai, në kuadër të procesit të bisedimeve të pranimit të Maqedonisë në Aleancë.

Në takim, ministrja Shekerinska tha se me angazhim të plotë, guxim dhe vendosmëri, qeveria punoi në tri çështje të rëndësishme vitin e kaluar – marrëveshjen me Bullgarinë, çështjen e emrit me Greqinë dhe marrëdhëniet ndëretnike në vend. Lidhur me anëtarësimin në NATO, Shekerinska shtoi se ekipet e ministrisë janë gati të fillojnë bisedimet e pranimit dhe se procesi po lëviz në përputhje me dinamikën e planifikuar.

„Bisedimet për aderim që janë ndër hapat e fundit para anëtarësimit të plotë në NATO, do të na ndihmojnë të qëndrojmë të fokusuar, të punojmë shumë dhe të zgjedhim prioritetet e duhura. Me hartimin e Shqyrtimit Strategjik të Mbrojtjes, si një dokument kyç, ne filluam të diskutojmë reformat e mbrojtjes dhe jemi gati për t’i zbatuar ato, ” tha ministrja.

Shekerinska theksoi se fokusi në Mbrojtje që nga fillimi është në përmirësimin e kushteve për punë për pjesëtarët e Armatës, dhe kjo është e dukshme përmes rritjes së buxhetit të mbrojtjes këtë vit me 15 për qind dhe planit për rritjen e mëtejshme në 2 për qind të rekomanduar të bruto- produktit vendor. Është jashtëzakonisht e rëndësishme, tha Shekerinska, mënyra në të cilën do të shpenzojmë fondet në mbrojtje dhe në periudhën e ardhshme fokusi ynë është të fillojmë planet për modernizim.

Zëvendës Ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Appathurai duke përgëzuar lidershipin e Maqedonisë në rajon, theksoi se vendi bëri një kthesë të madhe për një periudhë të shkurtër dhe se politika fqinjësore e Maqedonisë është mbresëlënëse eddhe për fqinjët, të cilët dhanë mbështetje të fuqishme për anëtarësimin e plotë të vendit në Aleancë.

Appathurai u pajtua që është jashtëzakonisht e rëndësishme si do të shpenzohet buxheti i mbrojtjes dhe ofroi ndihmë dhe mbështetje nga NATO-ja. Ai shprehu mirënjohje për kontributin e vazhdueshëm të Maqedonisë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Afganistan, i cili njihet nga të gjithë aleatët.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail