Shekerinska – Canikli: Maqedonia dhe Turqia janë dy vende miqësore dhe vëllazërore, mes të cilave ka bashkëpunim dhe mbështetje të sinqertë

Zëvendës-kryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska sot qëndron në vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë. Vizita u realizua me ftesë të Ministrit të Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Nurettin Canikli.

Në takimin me ministrin Canikli, ministrja Shekerinska theksoi se Maqedonia punon shumë për t’u bërë vendi i 30-të anëtar i NATO-s. Ajo u falënderua për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Turqisë.

„Turqia është vendi që në mënyrë të vazhdueshme ka hapur dyert për Republikën e Maqedonisë për anëtarësim në Aleancën e NATO-s. Në një nivel, kemi mbështetje të rëndësishme politike nga Turqia dhe në një tjetër që është po aq i rëndësishëm është mbështetja në fushën e reformave të mbrojtjes dhe modernizimi i forcave të armatosura “, tha ministrja.

Shekerinska shprehu shpresën se gjatë muajve të ardhshëm të takimeve në Aleancë, Turqia do të vazhdojë të mbështesë vendin tonë në aspiratat për anëtarësim në NATO.

Ministri Canikli tha në takim se Maqedonia është një vend vëllazëror dhe miqësor dhe se Turqia e mbështet atë në rrugën drejt NATO-s.

„Nëse nuk ka stabilitet në Ballkan, nuk ka stabilitet në Evropë dhe pa stabilitet evropian, nuk ka stabilitet në botë. Stabiliteti i Ballkanit është i një rëndësie të madhe në aspektin global. Turqia do të vazhdojë me mbështetjen e pakursyer për Maqedoninë në procesin e reformës së mbrojtjes “, tha Canikli.

Në takim, ministri Canikli njoftoi se një grup për mbështetjen e reformave të mbrojtjes në Maqedoni tashmë është formuar, duke shtuar se ky grup së shpejti do të arrijë në Maqedoni, ku do të vlerësojë nevojat dhe mënyrat se si Turqia do të ndihmojë Maqedoninë në zbatimin e reformave të mbrojtjes.

Ministrja Shekerinska gjithashtu theksoi interesin e Qeverisë për bashkëpunim në fushën e industrisë për nevoja të posaçme në Republikën e Maqedonisë, pas së cilës u ra dakord për një vizitë nga ekipet turke në kapacitetet përkatëse në vendin tonë.

Ministres Shekerinska iu organizua pritje zyrtare në Ankara. Delegacioni maqedonas vizitoi mauzoleumin e Mustafa Kemal Ataturkut, disa ndërtesa ushtarake turke, si dhe nënsekretariatin për industri të mbrojtjes.

Vizita e Turqisë vazhdon me takime me kryeministrin turk Binali Jildirim dhe Ministrin e Jashtëm Mevlut Çavushoglu.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail