Shekerinska – Shvarc: Intensifikim i bashkëpunimit midis Forcave Speciale të ARM-së dhe Forcave të Armatosura të SHBA-së

Republika e Maqedonisë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një bashkëpunim gjithëpërfshirës dhe të vazhdueshëm në fushën e mbrojtjes dhe angazhimi ynë i përbashkët është ta bëjmë atë bashkëpunim edhe më intensiv, sidomos në pjesën e forcave speciale të dy ushtrive, konkluduan ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe komandanti nga Komanda e Operacioneve Speciale të Shteteve të Bashkuara në Evropë, Gjeneral Major Mark Shvarc.

Ministrja Shekerinska theksoi se në Maqedoni, pas përmirësimit të situatës politike, fokusi është në qëllimet strategjike: anëtarësimin në NATO dhe BE. Shekerinska shtoi se Maqedonia mbetet e angazhuar për pjesëmarrje në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare dhe aktivitete të përbashkëta trajnuese me partnerët e NATO-s, gjë që rrit aftësitë dhe kapacitetet e Armatës së Republikës së Maqedonisë.

„Angazhimi ynë për të marrë pjesë në misionet e NATO-s nuk është vetëm deklarativ dhe kjo është reflektuar në rritjen e kontigjentit të ARM-së në misionin “Mbështetje e Vendosur” me 20 për qind,” tha ministrja në takim.

Gjenerali Shvarc theksoi bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me ARM në fushën e forcave speciale dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin ARM-në në zhvillimin e kapaciteteve të saj përmes trajnimeve të ndryshme dhe të rëndësishme në të ardhmen. Gjenerali shtoi se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë shumë pjesëmarrjen e pjesëtarëve të ARM-së në misionin “Mbështetje e Vendosur” në Afganistan dhe përshëndeti vendimin për rritjen e numrit të pjesëtarëve të ARM-së në këtë mision në vitin 2018.

Në kontekst të trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta të ardhshme, ministrja Shekerinska shprehu gatishmërinë që poligoni ushtarak i Krivolakut edhe në të ardhmen të përdoret për stërvitje të përbashkëta.

Në kuadër të vizitës në Republikën e Maqedonisë, gjenerali Shvarc vizitoi Komandën e Regjimentit të Operacioneve Speciale të ARM-së.

Regjimenti i Operacioneve Speciale në ARM dhe Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së në Evropë bashkëpunojnë që nga viti 1996 kur u zbatuan programet e para për trajnime të përbashkëta. Në vitin 2016 dhe 2017 pjesëtarët e Regjimentit ishin pjesë e një numri ushtrimesh të organizuara nën kujdesin e Shteteve të Bashkuara, përfshirë “Sabre Junction 16″, “Anaconda 16″, “Combined Resolve 7″, “Combined Resolve 8″, “Allied Spirit 6″,”Sabre Guardian 17”.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail