Shekerinska – Boshkoviq: Maqedonia meriton të jetë anëtare e ardhshme e NATO-s

Në kuadër të vizitës së saj në Malin e Zi, zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, zhvilloi sot takime zyrtare me ministrin e Mbrojtjes Predrag Boshkoviq, dhe me Presidentin Milo Gjukanoviq dhe Kryetarin e Parlamentit, Ivan Brajoviq.

Në takimin me ministrin e Mbrojtjes të Malit të Zi, u konkludua se Maqedonia dhe Mali i Zi kanë një bashkëpunim jashtëzakonisht të ngushtë në mbrojtje që do të vazhdojë të zhvillohet në të ardhmen. Ministrja Shekerinska shprehu mirënjohje për mbështetjen e madhe që Maqedonia merr nga Mali i Zi për anëtarësimin në NATO dhe theksoi se Maqedonia po merr hapa vendimtar për reformat e brendshme, si dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjes së gjatë me Greqinë.

Ministrat konkluduan se integrimi i shpejtë euroatlantik do të ndikojë në forcimin e paqes dhe sigurisë dhe do të hapë rrugën për zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e të gjithë rajonit.
“Maqedonia meriton anëtarësimin në NATO me reformat e shumta. Anëtarësimi ynë sjell stabilitet në të gjithë rajonin”, tha ministrja pas takimit, duke shtuar se vendimi i NATO-s për të pranuar Malin e Zi tregoi se funksionon politika e dyerve të hapura dhe tha se ky vendim është një kujtesë dhe frymëzim për ne. Është një përkujtues se shtetet mund të humbasin ose të krijojnë mundësi historike dhe frymëzim që ambiciet e larta të shteteve të vogla mund të realizohen.

Ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi tha se marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Maqedonisë janë një shembull i bashkëpunimit në rajon. Ai shtoi se të dy vendet kanë një të ardhme të përbashkët dhe se Mali i Zi dëshiron ta shohë Republikën e Maqedonisë si një anëtare të NATO-s.

“Mali i Zi beson se Maqedonia meriton të jetë anëtare e ardhshme e NATO-s, se ajo kontribuon në stabilitetin e rajonit “, tha ai.

Ministri Boshkoviq vuri në dukje se të dy vendet kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm të shprehur përmes aktiviteteve specifike siç janë ushtrimet e përbashkëta të reagimit ndaj krizave dhe stërvitjet për luftë malore, si dhe kontributin e të dy vendeve në sigurinë globale në misionet ndërkombëtare.

Ministrja Shekerinska në Mal të Zi u takua edhe me presidentin malazez Milo Gjukanoviq dhe kryetarin e Parlamentit, Ivan Brajoviq.

Në takime, bashkëbiseduesit konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe theksuan se ato duhet të jenë një shembull bashkëpunimi në rajon. Mbështetje e plotë u shpreh edhe për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe për stabilizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të rajonit.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail