Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Berisha për vizitë pune në Maqedoni

Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, bashkë me një delegacion nga Ministria dhe Armata e Republikës së Maqedonisë sot realizoi takim pune me një delegacion nga Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga ministri Rrustem Berisha i cili ndodhet për një vizitë të shkurtër pune në Republlikën e Maqedonisë.

Ministrat Shekerinska dhe Berisha shprehën mirënjohje për marrëdhëniet e shkëlqyeshme bilaterale si dhe për bashkëpunimin e suksesshëm mbrojtës midis dy vendeve.

„Maqedonia ka vendosur një standard të ri kur flitet për marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe mbështetjen e ndërsjellë në rajon. Treguam se, jo vetëm që dëshirojmë të shkojmë drejt Evropës, por edhe se kemi kapacitet dhe vullnet që mënyrën evropiane të sjelljes, edhe përkundër të gjitha sfidave, ta sjellim në Ballkan. Kjo është e vërejtur nga partnerët tanë evropian dhe euroatlantik, gjë për të cilën sot Maqedonia është një vend që ka marrë ftesën për anëtarësim në Aleancë, ndërsa ka një ndikim pozitiv në të gjithë rajonin“, tha ministrja Shekerinska në takim dhe shtoi se perspektiva euroatlantike për vendet tona është shumë e rëndësishme për stabilitetin e të gjithë rajonit.

Shekerinska njoftoi homologun e Kosovës me detyrimet për Maqedoninë në fazën aktuale të pranimit në NATO – bisedimet e pranimit dhe tha se Maqedonia është e gatshme të ndajë përvojat e saj me vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë integrimin në NATO.

Lidhur me bashkëpunimin, ministrja Shekerinska theksoi se kurorë e këij bashkëpunimi është trajnimi i kadetëve nga Kosova në Akademinë Ushtarake në Shkup. “Maqedonia do të vazhdojë të edukojë kadetë për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës në të ardhmen dhe jam e kënaqur që Kosova ka një interes serioz në vazhdimin e këtij procesi”, tha ministrja.

Ministri i Kosovës u falënderua për bashkëpunimin me Maqedoninë në mbrojtje dhe u zotua për ta forcuar atë. Ministri Berisha përshëndeti angazhimin e Maqedonisë për integrimin në NATO dhe BE dhe tha se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të kishte një ndikim pozitiv në sigurinë në rajon. “Bashkëpunimi midis Maqedonisë dhe Kosovës si vende fqinje çon drejt paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon”, tha Berisha. Në të njëjtën kohë, ai informoi për planet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova në kuptimin politik dhe atë të sigurisë.

Ministrja Shekerinska tha se Maqedonia do të pasurojë bashkëpunimin me Kosovën dhe do të vazhdojë të mbështesë dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ajo ra dakord që bashkëpunimi dypalësh midis vendeve në rajon është një mënyrë për të nxitur sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe shprehu shpresën se sfidat rajonale, negociatat dhe çështjet e hapura do të mbyllen në një mënyrë që do të jetë në interes të përparimit të të gjithë rajonit.

Maqedonia dhe Kosova në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë bashkëpunojnë që nga viti 2010 kur është nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi që mbulon fusha të tilla si politikat e sigurisë dhe mbrojtjes, trajnime mjekësore, arsimin ushtarak dhe trajnime profesionale.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail