Takim Shekerinska – Boshkoviq: Mali i Zi mbështet Maqedoninë të bëhet vend-anëtar i 30-të i Aleancës së NATO-s

Me ftesë të Ministrit të Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, sot ministri malazez i Mbrojtjes Predrag Boshkoviq qëndron në vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë.

Pas takimit me ministrin Boshkoviq, ministrja Shekerinska shprehu kënaqësinë që përmes pranimit të Malit të Zi në NATO konfirmohet se politika e dyerve të hapura për anëtarësim në Aleancë vazhdon. Shekerinska vuri në dukje se kjo paraqet frymëzim dhe dëshmi se kur ka një angazhim për qëllimin strategjik, e njëjta është e arritshme.

„Përgëzoj z. Boshkoviq për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Republika e Maqedonisë është e kënaqur për vendin mik të saj, por edhe sepse e di se do të ketë një aleat tjetër brenda aleancës së NATO-s. Në periudhën e kaluar, Republika e Maqedonisë e vuri theksin në qëllimin e saj strategjik, në anëtarësimin në NATO dhe në anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ne jemi të përfshirë në reforma serioze, të brendshme, vendore, të cilat do të tregojnë se Republika e Maqedonisë beson dhe respekton sundimin e ligjit, pavarësinë e mediave, betejën kundër korrupsionit dhe plotëson kriteret e konsideruara si kritere politike për anëtarësimin në NATO “, tha ministrja.

Ministri malazez i mbrojtjes Boshkoviq vuri në dukje se të dy vendet kanë lidhje të thella miqësore, vëllazërore dhe se përvoja e Malit të Zi për t’u bashkuar me Aleancën mund të jetë një përfitim i madh për Maqedoninë.

„Mali i Zi do të jetë promovuesi më i madh i interesave të Maqedonisë në integrimin evropian dhe euroatlantik, jo vetëm sepse Maqedonia është një shtet i afërt për ne, por sepse mendojmë se kjo është në interesin më të mirë të Malit të Zi, sepse vetëm një rajon stabil dhe i bashkuar mund të jetë një bazë e mirë për rritjen ekonomike dhe zhvillim në të gjithë rajonin, që është një nevojë për të gjithë qytetarët që jetojnë në këtë rajon “, tha Boshkoviq.

Të dy ministrat ranë dakord se bashkëpunimi dypalësh i mbrojtjes është në nivelin më të lartë, që pasqyrohet në bashkëpunimin e shkëlqyer arsimor ushtarak – trajnimin e kadetëve nga Mali i Zi në Akademinë Ushtarake në Shkup, trajnimin e pilotëve të helikopterëve në të dy qendrat në Maqedoni dhe Mal të Zi dhe bisedimet mes ekspertëve. Në takimet u diskutua bashkëpunimi rajonal, veçanërisht në lidhje me Kartën e Adriatikut- SHBA, takimi ministror it ë cilit do të mbahet nesër në Ohër.

Ministrat Shekerinska dhe Boshkoviq, më pas në kazermën “Goce Delçev” morën pjesë në betimin dhe promovimin e nëntogerëve në Akademinë Ushtarake. Në ceremoni morën pjesë 32 kadetë të rinj, nga të cilët 23 nga Maqedonia, pesë nga BeH, dy nga Mali i Zi dhe dy nga Kosova, dhe në gradën e nëntogerit u promovuan 22 kadetë nga Maqedonia, dy nga Mali i Zi dhe Kosova dhe një nga BeH. Në ceremoninë e radhës së në gradën e oficerit fillestar u promovuan 41 pjesëmarrës me një kurs profesional të kryer për trajnim dhe avancim.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail