Takim Shekerinska-Han në Mynih: Maqedonia është e përkushtuar në reformat demokratike dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian

Sot në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska dhe ministri i Jashtëm Nikola Dimitrov u takuan me Komisionerin Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johanes Han.

Ministrja Shekerinska theksoi se Maqedonia është fuqishëm e përkushtuar në zgjidhjen e problemeve dhe sfidave në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe Aleancën e NATO-s. Shekerinska theksoi se Plani 3-6-9 po realizohet në një ritëm të shpejtë dhe se Maqedonia dhe Qeveria kanë treguar se kanë një qasje të re në politikën ndaj fqinjëve.

Në takim, Komisioneri Han përshëndeti përpjekjet për reforma të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe shprehu gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të vazhduar mbështetjen për Republikën e Maqedonisë në zbatimin e reformave të planifikuara.

Sot në Mynih, ministrja u takua edhe me ministrin kanadez të Mbrojtjes Kombëtare, Harxhit Saxhan, i cili dha mbështetje të plotë për integrimin e Maqedonisë në NATO, si dhe për politikat e reformave të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Saxhan shprehu mirënjohjen për kontributin e Armatës së Republikës së Maqedonisë në misionin paqeruajtës “Mbështetje e Vendosur” në Afganistan.

Ministrja Shekerinska pati një takim edhe me ministrin malazez të Mbrojtjes Predrag Boshkoviq, i cili theksoi bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dypalësh midis dy vendeve në fushën e mbrojtjes, si dhe mbështetjen e fortë malazeze për anëtarësimin e Maqedonisë në Aleancë.

Gjatë ditës së nesërme, ministrja Shekerinska, përveç pjesëmarrjes në Konferencën e Mynihut, do të takohet me ministrin bullgar të mbrojtjes Krasimir Karakaçanov dhe nënsekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Rose Gottemoeller.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail