Takim Shekerinska – Matisse: Nuk duam t’ju shohim të ndalur në dyert e NATO-s

Maqedonia dhe SHBA kanë një partneritet të fortë strategjik. SHBA vlerësojnë hapat që Maqedonia i merr drejt NATO-s dhe nuk duan ta shohin Maqedoninë të ndalur në dyert e Aleancës – u tha në takimin zyrtar të ministres së mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, me Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA, James Matisse në Pentagon.

Sekretari amerikan i mbrojtjes James Matisse në fillim të takimit kujtoi fjalët e ministres Shekerinska në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s mbi sfidat me të cilat ballafaqohet Perëndimi.

„Ju ishit bindëse dhe fjalët tuaja dominuan në diskutim, duke na kujtuar fuqishëm përgjegjësinë tonë për të mbrojtur vlerat demokratike “, tha Matisse.

Ai tha se SHBA vlerësojnë angazhimet që Maqedonia merr si partner i NATO-s – dërgimin e trupave në misionin “Mbështetje e Vendosur” në Afganistan, kontributin në koalicionin për mundjen e ISIS dhe vendimin e rëndësishëm për ndarjen e 2% të PBV-së për mbrojtje.

Ne vlerësojmë përpjekjet tuaja. Ato pohojnë vendimin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008 që Maqedonia të marrë ftesën e anëtarësimit „sapo të arrihet një zgjidhje e pranueshme reciprokisht për çështjen e emrit” me Greqinë. Ne mirëpresim punën tuaj me Greqinë për të zgjidhur këtë çështje dhe shpresoj që së shpejti do të ketë rezultate. Ne nuk duam të shohim të ndaleni në dyert e NATO-s. Situata e sotme e sigurisë kërkon një frymë miqësie midis të gjithë atyre që avokojnë për lirinë, të drejtat themelore të njeriut dhe sundimin e ligjit”, tha Matisse.

Ministrja Shekerinska falënderoi për mbështetjen e fortë që Maqedonia e merr nga SHBA dhe kujtoi konsensusin e fortë në vend që nga pavarësia e saj, për anëtarësim në NATO.

„Më lejoni t’ju siguroj se Maqedonia është gati për anëtarësim në NATO. Shpejt u rimëkëmbëm nga kriza e gjatë politike dhe pas një vrulli të fortë reformash shihemi si një burim shprese në Ballkan. Kemi filluar reforma të rëndësishme të mbrojtjes dhe kemi rritur kontributin tonë në misionin e udhëhequr nga NATO në Afganistan. Ne dëshmuam se jemi një partner i përkushtuar dhe i besueshëm. Qëllimi ynë është të jemi një aleat i tillë. Pra, më lejoni të kërkoj mbështetjen tuaj si një partner strategjik i anëtarësimit tonë në NATO. Ftesa e Maqedonisë në korrik do të na mbështesë në qëllimin tonë strategjik, do të ndihmojë rajonin në ndërtimin e stabilitetit afatgjatë dhe për të rritur ndikimin dhe gatishmërinë e SHBA-së dhe NATO-s”, tha ministrja Shekerinska.

Ky është takimi i parë i ministrave të mbrojtjes të Maqedonisë dhe SHBA-së pas 6 vjetësh dhe është realizuar në një periudhë vendimtare, vetëm dy muaj para Samitit të Aleancës në korrik në Bruksel

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail