Samiti i këtij viti ishte në temën “Ballkani Perëndimor në udhëkryq – Sfida të reja, dinamika e ndryshueshme” dhe diskutimet kishin për qëllim vendosjen e Ballkanit Perëndimor në agjendën evropiane, sfidat me të cilat përballen vendet e rajonit në aspektin e sigurisë, ekonomisë dhe reformat e nevojshme. Në rend të ditës ishin tema të tilla si krijimi i demokracisë, paqja dhe stabiliteti, zhvillimi ekonomik dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor, si dhe reformat në nivel kombëtar dhe lokal.
Samiti ishte i ndarë në disa sesione të dedikuara paqes, demokracisë dhe pajtimit, por gjithashtu edhe rritjes së mundësive për biznes dhe nevojën për të vazhduar proceset e reformave. Samiti diskutoi gjithashtu vetëqeverisjet lokale dhe nevojën për përfshirjen e tyre në procesin e reformave.
Në margjinat e Samitit, zëvendësministri Maksuti foli shkurt me Hoyt Yi, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit të SHBA-së dhe me Andrew Plit, Këshilltar i Lartë për Zhvillim në Komandën Evropiane të Shteteve të Bashkuara.