Zëvendësministri Maksuti në takimin e ministrave të mbrojtjes të Ballkanit Perëndimor në Austri: Vendimi i 30 shtatorit do të prekë jo vetëm Maqedoninë, por edhe tërë rajonin

Zëvendësministri i Mbrojtjes i Republikës së Maqedonisë, Bekim Maksuti, sot në Graz, Austri mori pjesë në takimin jozyrtar të ministrave të mbrojtjes të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Austrisë. Takimi ishte nën patronazhin e ministrit austriak të Mbrojtjes, Mario Kunasek, i cili informoi homologët e tij ballkanikë mbi konkluzionet e takimit të fundit të ministrave të mbrojtjes të Bashkimit Evropian në Vjenë.
Takimi u përqëndrua në bashkëpunimin e sigurisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian me qëllim të forcimit të sigurisë dhe stabilitetit. Takimi ministror përfundoi me një deklaratë të përbashkët ku theksohen mbështetja e fortë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, si dhe veprimet e përbashkëta në trajtimin e sfidave të sigurisë dhe bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes së kufirit nga migrimi ilegal në BE.

„Maqedonia përballet me të njëjtat sfida dhe kërcënime të sigurisë si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe pjesa tjetër e Evropës. Qeveria e Republikës së Maqedonisë është e bindur se një qeverisje e mirë dhe e përkushtuar, si dhe zbatimi i pakushtëzuar i ligjit mund të sugurojë kushte për një rajon të sigurt dhe ekonomikisht të begatë”, tha zëvendësministri në takim.

Maksuti tha se qytetarët e Maqedonisë janë në një moment vendimtar – referendumi i 30 shtatorit që do të ndikojë jo vetëm në sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e vendit, por e të gjithë rajonit. Ai theksoi se qytetarët e vendit tonë kanë treguar se duan ndryshime, duan të jetojnë në një shoqëri të lirë demokratike, në të cilën sundimi i ligjit, shprehja e lirë dhe mediat janë korrigjim i zëshëm i politikës.

Zëvendësministri shtoi se Maqedonia, me marrëveshjet e nënshkruara me Bullgarinë dhe Greqinë, tregoi se investon në marrëdhënie të mira fqinjësore dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit, në vend të armiqësisë dhe se kjo u njoh nga fqinjët dhe ata dhanë mbështetje të plotë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Si sfida kryesore të sigurisë për Evropën dhe Ballkanin, Maksuti vuri në dukje migracionin e paligjshëm, krimin e organizuar, terrorizmin, kërcënimet hibride dhe kibernetike. Ai theksoi se të gjitha sfidat kërkojnë një përgjigje të përbashkët. „ Ne jemi të vetëdijshëm se sfidat e sigurisë përcillen nga një vend në tjetrin dhe asnjë vend nuk mund ta zgjidhë atë vetëm,” tha zëvendësministri.

facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedintumblrmail